Ambasadorët e QUINT-it pas takimit me Dakën: Të respektohen vendimet ligjore

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë takuar sot, kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) Valdete Daka, për të shprehur përkushtimin e vazhdueshëm për zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore, më 14 shkurt, dhe për ta njoftuar mbi planet e tyre të monitorimit të zgjedhjeve, njofton Klan Kosova.

”Derisa pandemia ka krijuar sfida shtesë, jemi të sigurt në aftësinë e KQZ-së për të mbikëqyrur zgjedhjet. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës t’i zbatojnë rekomandimet e bëra në raportin e Misionit Zgjedhor të Bashkimit Europian për zgjedhjet e 6 tetorit 2019”.

- FIA CONSTRUCTION-

”E theksuam që KQZ-ja duhet të kujdeset që procesi zgjedhor është transparent dhe i pazënë nga ndërhyrjet politike. Procedurat parazgjedhore, përfshirë certifikimin e kandidatëve, janë ende në proces. Në këtë moment, ne besojmë se populli i Kosovës meriton qetësi dhe pjekuri nga të gjitha anët. Është e rëndësishme që vendimet ligjore të respektohen dhe rrugët e apelimit të ndiqen pa ndërhyrje. U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative”.

”I ftojmë të gjitha partitë dhe kandidatët që të përfshihen në një garë të ndershme në të gjithë Kosovën, duke respektuar masat anti-COVID-19 gjatë gjithë fushatës. Derisa shqyrtojnë përzgjedhjen e tyre, populli i Kosovës meriton të dëgjojë propozime të hollësishme të politikave, nga politikanët e tyre, me argumente të bëra në një frymë debati informues”.

”Për të siguruar zgjedhje të suksesshme, i takon edhe popullit të Kosovës që të votojë dhe ta bëjë këtë në mënyrë të sigurt, duke ndjekur gjithashtu të gjitha masat anti-COVID-19. Qeveritë tona janë të përkushtuara për të vazhduar mbështetjen tonë në përpjekjet për të ndërtuar një Kosovë të sigurt, të begatshme, demokratike për të gjithë qytetarët, dhe për të punuar ngushtë me çdo qeveri që formohet përmes zgjedhjeve të lira në përputhje me kushtetutën”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane, njofton Klan Kosova.

Lajmet e fundit