Berberët gjermanë kundër futbollistëve

Berberët gjermanë janë shumë të zemëruar me futbollistët profesionistë të Bundesligës. Në një kohë që pandemia i detyron ata të mbajnë mbyllur aktivitetin, futbollistët profesionistë zbresin në fushë me prerje të përsosura flokësh, duke promovuar në këtë mënyrë punën në të zezë.

Flokët e gjermanëve rriten prej muajit dhjetor, thënë ndryshe që nga mbyllja e vendit në kuadër të pandemisë, gjë që ka detyruar dhe mbylljen e salloneve të bukurisë. Por futbollistët e Bundesligës vijojnë prej kohësh të paraqiten në fushë me prerje flokësh në modë, qartësisht të realizuara nga duar ekspertësh.

- FIA CONSTRUCTION-

Në këtë mënyrë shoqata kombëtare e berberëve në vend ka shkruar një letër publike revolte kundër këtij fenomeni. Ndër të tjera ata shkruajnë se është befasuese që në ndeshjet e fundit pjesa më e madhe e futbollistëve profesionistë prezantohet me prerje të reja.

Letra është firmosur nga përfaqësuesit e rreth 80 mijë berberëve gjermanë. Ata e kanë marrë aq seriozisht këtë ankesë sa kanë studiuar modelet e prerjeve të flokëve, të cilat janë të përsosura në milimetra, me pak fjalë është punë profesionistësh.

Dhe pse mund të shkaktojë të qeshura iniciativa arsyetohet nga shqetësime reale: shoqatat ankohen se yjet e futbollit me prerjet e tyre të flokëve po vënë nën presion të gjithë sektorin.

Shumë berberë janë në prag falimentimi dhe gjithnjë e më shpesh marrin telefonata nga klientë të cilët i kërkojnë shërbimet në shtëpi, gjë që do të përcaktohej si punë në të zezë. Letra mbyllet me një apel ndaj ligës së futbollit për të treguar më shumë solidaritet dhe të jepet një sinjal i qartë kundër punës në të zezë.

Lajmet e fundit