Epidemitë shpesh kanë nxitur rritje të diskriminimit kundër minoriteteve – edhe këtë herë po ndodh e njëjta gjë!

Pandemitë nuk janë vetëm fenomene biologjike por edhe fenomene sociale. Përgjatë historisë, pandemitë kanë qenë motorë të fuqishëm të ndryshimeve sociale, duke ekspozuar pabarazitë në shpërndarjen e shërbimeve shëndetësore dhe pasurisë, dhe duke nxitur thirrje për reforma të institucioneve sociale.

Në këtë aspekt, protestat masive që kanë përfshirë tërë SHBA-t pas vdekjes së George Floyd mund të shihen si një simptomë e një patologjie më të thellë sociale, një që është nxjerr në sipërfaqe nga pandemia e koronavirusit dhe nga përgjigjja e presidentit Trump ndaj krizës shëndetësore të krijuar nga CoViD-19.

- FIA CONSTRUCTION-

Kur Derek Chauvin u kap në kamerë duke mbajtur gjurin e tij mbi qafën e George Floyd, gjersa ky i fundit thoshte “Nuk mund të marr frymë”, imazhi rezonoi me formën në të cilën koronavirusi ka ngulfatur jetët e afro-amerikanëve në mënyrë të pabalancuar. Siç ka thënë edhe novelisti dhe poeti nigerian Ben Ori për BBC: “Vet pandemia bartë  problem të frymëmarrjes. Mendoj që kjo ka ndimuar që të prek thellësisht ndenjat e njerëzve.”

Figura nga Laboratori i Hulumtimeve APM kanë treguar që, mesatarisht, amerikanët e zinjë kanë vdekur nga koronavirusi gati tri herë më shumë se sa amerikanët e bardhë. Në Britani të Madhe, sipas Zyrës për Statistika Nacionale, të zinjtë kanë katër herë më shumë mundësi që të vdesin nga CoViD-19 se sa të bardhët.

Kjo pabarazi mund të jetë krijuar për shkak të disa faktorëve, duke përfshirë edhe nivelet më të ulëta të vitaminës D në grupet e minoriteteve aziatike dhe të zeza në Britani. Por nuk ka dyshim që varfëria dhe pasiguria në vendet e punës, bashkë me kushtet stresuese të jetës së njerëzve të zi, shumica e të cilëve janë të koncentruar në zona të vjetra të qyteteve, po ashtu luajnë një rol të rëndësishëm.

Filozofi i Harvard dhe aktivisti Cornel West ka thënë që pabarazitë racore në sistemin shëndetësor që janë zbuluar nga CoViD-19 janë një demonstrim i “eksperimentit të dështuar social” të Amerikës. Pavarësisht nëse e pranoni apo jo këtë mendim, këto pabarazi janë duke nxitur pyetje mbi sistemin publik shëndetësor të SHBA-s dhe aftësinë e Amerikës për të mbrojtur qytetarët më të cenueshëm dhe pafavorizuar, nga sëmundjet ngjitëse.

Nuk është hera e parë

Diçka shumë e ngjashme ndodhi në vitin 1849 kur Amerika u prek nga kolera. Atëherë, sikur edhe sot, epidemia ishte më e rëndë tek banorët e zonave më të varfra në brendësi të qyteteve. Në periferinë e Philadelphia, siç e kujton Charles Rosenberg në “The Cholera Years”, një çift me ngjyrë u gjetën të vdekur nga kolera në një dhomë prej 1.5 metrash.

Njësojë ndodhi në zonën Five Points në New York, ku imigrantët nga Irlanda u vendosën në banesa rudimentare të drurit që u mungonte uji dhe kanalizimi. Rreth 40 përqind e irlandezëve në New York vdiqën nga kolera.

Në 1832, kur kolera aziatike arriti në SHBA, amerikanët menduan që virtyti religjioz dhe jeta e thjeshtë e tyre do t’i mbronte nga sëmundja. Por pas 1849, banorët e New York-ut nuk mund të mohonin më lidhjen mes kolerës dhe varfërisë.

Dhe kur në 1854 mjeku anglez John Snow demonstroi që kolera shpërndahej në ujë, nevoja për reforma të sistemit të kanalizimit u bë imperative. Duke e pranuar që kolera ishte e lidhur me turmat e mëdha, shtëpitë johigjienike dhe sistemin e dobët të kanalizimeve, amerikanët nxitën bordet e shëndetësisë për të i ofruar qytetit sisteme më të sigurta të ujit. Më vonë, këto borde u bënë modele për agjencitë lokale dhe shtetërore të shëndetësisë publike.

Por më shpesh, epidemitë janë raste për diskriminim ndaj grupeve sociale dhe etnike. Kur New York-u u prek nga tifo në 1892, autoritetet sanitare fajësuan imigrantët hebrenj nga Rusia, që kishin udhëtuar në pjesët më të lira në anijet nga Rusia për SHBA, dhe i karantinuan ata në ishullin North Brother. Ndryshe nga ta, ata pasagjerë që udhëtuan në pjesët e klasit të parë në këto anije nuk u karantinuan.

Diskriminimi ishte po ashtu përgjigjja në vitin 1916 kur u shfaqën raste të “paralizave tek foshnjet” në New York. Ashtu siç e përshkruaj në librin tim, “The Pandemic Century”, shpërthimet e para të polios në Pig Town, një lagje italiane në Brooklyn të Jugut. Në këtë rast, imigrantët e rinj nga Napoli jetonin në banesa të rrethuara me mbeturina dhe derrkuca.

Gjersa rastet me polio u rritën bashkë me rastet e foshnjeve të vdekura apo paralizuara, publiku u ngritë në një valë paragjykimi ndaj italianëve. Gjersa të tjerët u larguan nga Brooklyn për në Long Island, policia nuk lejonte që italianët të dilnin nga qyteti. Zyrtarët e shëndetësisë shkuan derë më derë në Brooklyn për të izoluar dhe hospitalizuar italianët me dhunë.

Por, në fakt raste me polio kishin qarkulluar në SHBA pa u vërejtur që nga 1890. Sipas historianes së Yale, Naomi Rodgers, vetëm paraqitja e polios si epidemi në New York ishte diçka “e re”.

Teoritë konspirative

Minoritetet në shumicën e rasteve kanë pranuar që të ndjekin kufizimet për të mirën e shëndetit të të gjithëve. Por, kur liria e shumicës kërcënohet, ngriten protesta të dhunshme. Gjatë epidemisë së kolerës Ruse në 1832, për shembull, qytetarët e St Petersburg u mblodhën në sheshin e Sennaya për protesta ndaj karantinave dhe kordoneve, që i konsideronin si tentim nga klasa e edukuar për të nënshtruar klasën e varfër.

Duke akuzuar inspektorët sanitar për shpërndarjen e sëmundjes, protestuesit u futën me dhunë në spitalin kryesor për kolera dhe kërkuan vdekjen e mjekëve, që dyshonin që i kanë helmuar njerëzit. Vetëm kur Cari Nikolas I u shfaq në shesh dhe urdhëroi që të gjithë në turmë të binin në gjunjë, u ndaluan protestat.

Teoritë konspirative mbi rolin e profesionistëve mjekësor në shpërndarjen e kolerës po ashtu krijuan protesta në Britani. Sipas historianit të mjekësisë Samuel Cohn, Britania pati 72 protesta të tilla mes 1831 dhe 1832, me mijëra njerëz duke kërcënuar jetët e mjekëve.

Dallimi ishte që mjekët e Britanisë u akuzuan që po përdonin kolerën për të fshehur faktin që po kryejnë prerje të trupave me qëllim të studimit të organeve të brendshme. Kjo praktikë në Britani njihej si “burking” pas skandalit të 1828 në Edinburgh, në të cilin William Bruke dhe William Hare vranë 16 njerëz dhe i dërguan trupat e tyre tek një profesorë i anatomisë në Kolegjin Royal të Kirurgëve.

Në rastin e CoViD-19, konspiraci të ngjashme janë krijuar nga militantët e krahut të djathtë dhe atyre që janë anti-vaksinave, që besojnë që koronavirusi është një mashtrim për të fshehur vjedhjen e të drejtave të amerikanëve përmes rregullave të distancimit social. Këta protestues janë të bardhë dhe nuk mbajnë maska. Në rastin kur këta protestuar marshuan në kryeqytetin e Michigan në prill, ata po ashtu ishin të armatosur.

Protestat që tani kanë mbuluar qytetet e 50 shteteve të SHBA-s dhe shteteve të tjera, po ashtu nuk respektojnë distancimin social. Por, shumica e pjesëmarrësve mbajnë maska, në të cilat shkruhet “Nuk mund të marrë frymë”, në respekt të George Floyd dhe kërcënimit  që paraqet koronavirusi. Asnjë nuk ka mbajtur hapurazi armë. Përkundër kësaj, ata janë duke u përballur me ushtarë nacional të armatosur rëndë, të drejtuar nga një president që duket i determinuar që të keqësojë situatën.

Nuk është çudi që në Minnesota, ku njerëzit e zinjë përbëjnë 1/3 e rasteve me CoViD-19 edhe pse përbëjnë vetëm 6% të popullsisë së shtetit, zëvendës-kryetarja Andrea Jenkins nxori një analogji direkte mes dhunës të shkaktuar nga koronavirusi në komunitetet e zeza dhe vdekjes së George Floyd. “Derisa të emërojmë virusin e racizmit, ne kurrë nuk do ta zgjidhim këtë problem.”

Fatkeqësisht, tragjedia është që zemërimi që po i drejtohet forcave policore në SHBA tani rrezikon që të krijojë një valë të dytë të infektimeve me CoViD-19, që mund të jetë më shkatërruese se sa e para. – Mark Honigsbaum

/Objektiv/

Lajmet e fundit