KOK publikon çmimet për vitin 2020

Komiteti Olimpik i Kosovës ka ndarë çmimet për sportistët më të mirë për vitin 2020 në pasditën e sotme në ceremoninë e mbajtur në Prishtinë. Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar Çmimin e sportistes më të mirë të vitit, kurse sportisti më i mirë është shpallur basketbollisti Dardan Berisha.

Distria Krasniqi pati vitin më të mirë në karrierë, duke u ngjitur në podium sa herë që mori pjesë në gara. Krasniqi fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të mbajtur në Pragë, ndërsa medaljen e artë e fitoi në Grand Slamet e Parisit dhe Budapestit. Qershia mbi tortë ishte mbyllja e vitit 2020 në vendin e parë në renditjen botërore dhe olimpike në kategorinë deri në 48 kilogramë. Distria Krasniqi mbetet shpresa e madhe e Kosovës për medalje në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

- FIA CONSTRUCTION-

“Faleminderit Komitetit Olimpik të Kosovës për këtë çmim. Për mua është hera e parë që zgjidhem sportistja më e mirë e vitit nga Komiteti Olimpik dhe jam shumë e lumtur. Edhe pse ka qenë një vit i vështirë për të gjithë, për mua ka qenë vit shumë i suksesshëm, ku në të gjitha garat që kam marr pjesë jam kthyer me medalje. E kam përmbyllur vitin si e parë në ranglistën botërore dhe olimpike. Për të gjitha këto suksese e falënderoi trajnerin tim, Driton Kukën, për punën dhe përkushtimin që e ka për gjithë ekipin”, tha Krasniqi.

Dardan Berisha, sipas KOK-ut, ishte njëri prej më të dalluarve në fitoret e përfaqësueses së Kosovës në basketboll, në ndeshjet ndaj Islandës dhe Luksemburgut.

Ai kontribut të madh ka dhënë edhe për klubin e vendlindjes së tij, Peja, të cilit ia ktheu shkëlqimin, derisa vazhdon të mbetet prej lojtarëve më të dalluar në Superligë. Kosova në fakt i shënoi vetëm ato dy fitore dhe të shtunën kompletoi një cikël të pasuksesshëm. Pësoi katër humbje dhe nuk kaloi raundin e parë parakualifikues për Botërorin 2023.

“Faleminderit shumë Komitetit Olimpik për çmimin, Federatës së Basketbollit të Kosovës për mbështetjen. Falënderoi edhe familjen time që më ka përkrahur vazhdimisht dhe tifozët që na mbështesin”, deklaroi Berisha.

Për herë të tretë Laura Fazliu fiton çmimin “Shpresa Olimpike e Vitit”. Xhudistja Fazliu pati një tjetër vit të suksesshëm. Ajo arriti të ngjitet dy herë në podium, në kampionatet evropiane për grupmoshat U-21 dhe U-23.

Për herë të parë çmimin “Shpresa Olimpike” e ka fituar karateisti Betim Maliqi. Ai në Kampionatin Evropian për grupmosha të reja të mbajtur në Budapest të Hungarisë kishte fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri në 68 kilogramë. Ai fitoi katër luftëra për të siguruar vend në podium.

Çmimin e përfaqësueses së vitit në konkurrencën e femrave e ka fituar për herë të dytë ajo e futbollit. Përfaqësuesja e futbollisteve kishte shënuar disa fitore gjatë vitit 2020.

Te meshkujt përfaqësuesja e basketbollit e ka fituar çmimin kryesor. Ajo kishte shënuar dy fitore, një vit më parë, që në fund nuk ishin të mjaftueshme.

Për herë të pestë me radhë Driton Kuka e fiton çmimin e trajnerit më të mirë të vitit. Xhudistët e tij kanë fituar dhjetëra medalje me peshë në një vit shumë sfidues për të gjithë.

“Çmimin Special”, që e ndan Komiteti Olimpik i Kosovës, e ka fituar gjyqtari ndërkombëtar i boksit, Latif Demolli./Koha/

Lajmet e fundit