Ndikimi i pandemisë në transformimin e raportimit

Qytetarët dhe mediat në Kosovë kanë pritur me ankth paraqitjen e rasteve të para me Covid-19, pasi që nisën infektimet në kontinet, e posaçërisht në Itali. Ajo që po vinte më 13 mars ishte një situatë e re, e paprovuar për një gjeneratë të re gazetarësh që nuk kishin përjetuar asnjëherë gjendje të jashtëzakonshme.

Të gjitha mediat në Kosovë u detyruan të riorganizohen për t’iu përshtatur situatës së re, e në rastin më të keq, shkurtuan stafin. Një pjesë e stafit u detyrua të punojë nga shtëpia, e të tjerë rrezikuan duke qenë në krye të punës për të raportuar rastet dhe përditshmërinë e re. Që këtu nis transformimi i raportimit, pasi që ai kishte edhe konotacion personal.

- FIA CONSTRUCTION-

Gazetarët, kameramanët e fotoreporterët u pajisën me maska e dorëza, duke raportuar kryeisht nga Klinika Infektive, që ishte baza e të prekruve. Stafi medial do të duhej të sillej me kujdes të shtuar për të ruajtur veten, kolegët dhe familjen.

Si për secilën pjesë të shoqërisë, disa media u përkujdesën edhe për shëndetin mendor të punonjësve dhe ndikimin që pandemia pati në ta.

Panedmia mund të ketë efekt shkatërrues për shtypin e shkruar. Ato pak gazeta që ende shtypeshin, e ndalën qarkullimin duke kaluar raportimin online. Këtu, duke përfshirë gazetën më të madhe, Koha Ditore, e cila e vazhdoi formatin e plotë, dhe iu ofruar lexuesve pa para.

Por, televizioni vazhdon të mbetet burimi kryesor i informacionit për kosovarët. Puna dhe raportimi këtu pësuan transformimin më të madh në kuadër të përshtatjes me rrethanat e reja. Studiot televizive kishin më pak të ftuar, ose fare në fillim të përhapjes së pandemisë.

Kjo u kompensua me lidhjet direkte nga ambiente familjare a pune të të fturave nëpërmjet rrjeteve të ndryshme sociale. Në këtë mënyrë, u kursye koha dhe resurset. Por, në disa raste lidhjet direkte që varen nga internet, kanë dështuar, e kanë hasur në pengesa që kanë penguar pasqyrimin e plotë të mendimeve të të ftuarve.

Në studio televizive, në disa raste kishte të ftuar infektologë, të cilët sapo kishin përfunduar orarin e tyre në Klinikën Infektive, që edhe shihej si rrezik për shëndetin e punonjësve televizivë.

Fakti që çdokush ka qasje në rrjete online, ka ndihmuar të pasurojë edicionet e lajmeve, me deklarata me video nga më shumë ngjarje e tema se zakonisht.

Më shumë punonjës të mediave është dashur të punojnë me orare të shkurtuara e nga shtëpia për shkak të ndërprerjes së transportit publik.

Pandemia ka sjellur sërish në fokus qytetarinë aktive, dhe ndihmesën që ata mund të japin duke raportuar nga vendi i ngjarjes.

Mediat gjithashtu kanë marrë një sërë masash duke dezinfektuar ambinetet e tyre, dhe duke ofruar maska e dorëza për stafin. Në përpjekje tjetër sigurie ka qenë sigurimi i mikrofonave me mbështjellës dhe përpjekja për realizimin e intervistave në distancë për të shmangur sa më shumë kontaktin.

Por, raportimi në përgjithësi në të ardhmen, me cilësinë e sasinë e njëjtë është vënë në pikëpyetje për shumë media, për shkak të vështirësive financiare. Edhe pse kanë përfituar nga skemat qeveritare të ndihmës, shumë media do të mbesin në vështirësi të mëdha, do t’u duhet riorganizime e shkurtime, e ekziston rreziku për shuarjen e disa prej tyre, sidomos në shtypin e shkruar.

BIOGRAFIA

Xhemajl Rexha, është kryeredaktor në televizionin nacional, KTV ku punon që prej vitit 2005. Fillimisht, ka qenë i angazhuar në raportimet në terren, e në vitin 2009 ka nisur drejtimin e emisionit të aktualietit politik “Interaktiv”, çdo natë nga ora 23:00. Ka realizuar edhe një sërë mbulimesh speciale direkte, si dhe emisione dokumentare të veçanta. Aktualisht, udhëheq me deskun informativ.

Lajmet e fundit