Strakosha nuk duron, në verë pritet të largohet

Prej ditësh mediat në Itali raportojnë se Thomas Strakosha ka pasur një krisje marrëdhëniesh me trajnerin e Lazios, Simone Inzaghi.

Ky debat ka ardhur pas ndeshjes me Fiorentinën, në të cilën Strakosha u rikthye titullar pas një muaji. Burimet në fjalë nënvizojnë se ndoshta 25-vjeçarit nuk i kanë pëlqyer as fjalët e shprehura në konferencat e fundit për shtyp nga Inzaghi dhe ka kërkuar sqarime.

- FIA CONSTRUCTION-

Ky ballafaqim mesa duket nuk ka qenë me tone normale mes Strakoshës dhe Inzaghit, ndaj ka ardhur edhe lajmërimi për një dëmtim, që ndoshta nuk ekziston, në mënyrë që “gardianit” t’i jepej një mesazh i qartë nga klubi.

Ishte vetëm viti i kaluar kur Strakosha gëzoi rolin e paprekshmit duke mbrojtur portën e “Biancoceleste-s”. Në fitoren e fundit 2-0 kundër Parmës, në portën e Lazios ishte Reina ndërsa mungesa e Strakoshës u justifikua si pasojë e një tërheqje muskulore.

Tashmë prej disa muajsh ka ngecur rinovimi i kontratës së shqiptarit të cilit i skadon në verën e vitit të ardhshëm.

Lazio absolutisht nuk dëshiron ta humbasë lojtarin në zero, por ky i fundit nuk ka ndërmend të vazhdojë të luajë pak, duke hedhur vitet më të mira të karrierës së tij. Në këto kushte mediat në Itali kanë hedhur hipotezën e parë të largimit të Strakoshës.

Vera e këtij viti pritet të jetë me të vërtetë e nxehtë për portierin e Kombëtares shqiptare që do të tentojë të ardhmen në një klub tjetër.

Lajmet e fundit