Vaksinimi i botës, si test i aftësisë sonë për të bashkëpunuar

Nga Martin Wolf, Financial Times

A është e mundur të menaxhohet si duhet një pandemi globale, në një botë të karakterizuar nga pabarazi të mëdha të pasurisë dhe pushtetit? Përgjigja mund të na tregojë se si bota do ta adresojë sfidën shumë më komplekse të ndryshimit të klimës.

- FIA CONSTRUCTION-

Ajo çka kemi mësuar deri më tani nga Covid-19, është se bota ka treguar më shumë bashkëpunim sesa mund ta kishte pritur shumëkush. Por edhe kjo nuk ka mjaftuar. Përpjekja për të vaksinuar botën, nuk është testi i vetëm i aftësisë sonë për të bashkëpunuar.

Një provë tjetër është ndihma për vendet në zhvillim të goditura keq nga pandemia, duke pasur parasysh faktin se sipas Bankës Botërore 88-115 milion njerëz u zhytën sërish në varfëri ekstreme gjatë vitit të kaluar.

Megjithatë, programi i vaksinimit është sërish një test mbi kapacitetin tonë për të bashkëpunuar, pasi bota nuk mund të rikthehet në normalitet në rast se pandemia nuk vihet nën kontroll në çdo vend. Deri më tani kanë pasur sukses vendet me burime financiare dhe kapacitete teknologjik.

Sipas gjurmuesit të vaksinave të “Financial Times”, deri tani në të gjithë botën u janë injektuar njerëzve më shumë se 178 milion doza vaksine. Rreth 30 përqind e tyre në SHBA, 23 për qind në Kinë, 12 për qind në BE dhe 9 për qind në Britaninë e Madhe.

India ka shpërndarë deri tani gjysmën e më shumë dozave të Britanisë së Madhe.

Shumë vende në zhvillim nuk kanë nisur ende vaksinimin. Ky rezultat ishte i pashmangshëm, pavarësisht nga shpresat e dikujt për një botë më bashkëpunuese. Të gjitha qeveritë janë përgjegjëse së pari për qytetarët e tyre.

Po kështu, kompanitë e përfshira në një sipërmarrje të rrezikshme për zhvillimin e vaksinave, do t’i kushtojnë më shumë vëmendje kërkesave të vendeve me më shumë para. Realitete të tilla nuk mund të injorohen. Por a mund të kapërcehen ato?

Tani që janë zhvilluar disa vaksina, të cilat kanë fituar miratimin e enteve rregullatore në një kohë rekord, synimi duhet të jetë vaksinimi i sa më shumë njerëzve në moshë madhore sa më shpejt të jetë e mundur.

Për shkak të mutacioneve të virusit, tashmë janë duke u zhvilluar edhe vaksinat e modifikuara, ndonëse nuk është ende e sigurt se sa njerëz do të duhet që të rivaksinohen dhe sa shpesh. Kështu, lufta kundër Covid-19 mund të rezultojë të jetë fillimi i një programi vaksinimi shumëvjeçar dhe në një shkalle të paparë.

Ose mund të jetë më shumë sesa një herë. Nëse ndodh kjo e fundit, disa nga kapacitetet e reja mund të jenë të dobishme për fushatat e tjera të ardhshme të vaksinimit. Në secilin rast, rritja e nevojshme e kapacitetit global të prodhimit është komplekse, e shtrenjtë dhe e rrezikshme; dhe po i tillë është edhe zgjerimi i logjistikës dhe shpërndarja globale e vaksinave.

Në fakt shumë nga ato rreziqe dhe kosto do të duhet të përballohen nga qeveritë, sidomos ato me buxhete më të mëdha. Fatmirësisht, ekzistojnë edhe strukturat organizative për një përpjekje të tillë globale. Kështu, GAVI (Aleanca Globale e Vaksinave), CEPI (Koalicioni për Inovacione dhe Gatishmërinë Epidemike) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, së bashku me grupe të tjera, kanë krijuar Act Accelerator, një nga shtyllat e të cilit është COVAX, një nismë e përbashkët për të vaksinuar gjithë popullsinë e botës.

Po cilat janë pengesat kryesore për një fushatë të tillë globale? Nga diskutimet me njerëzit e përfshirë në këtë nismë, duket se ato kanë të bëjnë me shkallën dhe kompleksitetin e kësaj detyre, si dhe mungesën e fondeve, kohës, kapacitetit organizativ dhe aftësive teknike, sidomos rreth vaksinave të reja të bazuara tek mARN.

Mos harroni se nuk janë vetëm vendet në zhvillim, ato që mbeten prapa në radhën e vaksinimin. Furnizimet me vaksina janë të kufizuara edhe për ata që janë në krye të këtij procesi, dhe ku BE është ndoshta shembulli më i spikatur. Përkundër të gjitha këtyre vështirësive, COVAX shpreson aktualisht të shpërndajë më shumë se 2 miliardë doza vaksinash brenda këtij viti.

Duke pasur parasysh kompleksitetin e kësaj nisme,askush nuk mund të jetë i sigurt se kjo do të ndodhë vërtet. Por edhe nëse ndodh, do të krijojë një sfidë edhe më të madhe për vitin 2022, nëse synohet që të vaksinohen të gjithë të rriturit në botë.

Duhet të menaxhohen proceset rregullatore; duhet të ndërtohet një kapacitet i ri prodhimi; duhet të krijohen zinxhirë të furnizimit; ndërsa prodhuesit e vaksinave kanë nevojë për dëmshpërblim kundër rrezikut të mundshëm. Pastaj, vaksinat duhet të dorëzohen. Kjo është një detyrë më sfiduese në vendet në zhvillim, veçanërisht për vaksinat e reja mARN, të cilat duhet të ruhen në temperatura shumë të ulëta.

Në këtë përpjekje të gjerë, ka shumë rreziqe dhe pasiguri, dhe që të gjitha ato duhet të menaxhohen. Kjo do të kërkojë kohë, përpjekje dhe para. Dhe kjo edhe para se të shqyrtohen mënyrat më të mira për të financuar furnizimet me vaksinave të vendeve të varfra.

A duhet të përdoren ndihmat e pakta në dispozicion për zhvillim, apo të sigurohen fonde të reja? Duke pasur parasysh koston e pandemisë për ekonomitë e tyre, përgjigjja duhet të jetë ajo e fundit. Por kush do t’i sigurojë këto fonde shtesë?Sa e rëndësishme është për shtimin e shpejtë të furnizimit me vaksina,një pengesë siç janë të drejtat e pronësisë intelektuale të kompanive?

Përgjigja duket të jetë:jo shumë. Ka kundërshtime të njohura tashmë ndaj sistemit të patentave si një mjet për të motivuar inovacionin:ai krijon monopole të përkohshme, të cilat janë të kushtueshme, dhe që mund të jenë më shumë një pengesë sesa nxitje për inovacionet.

Ka argumente të forta mbi metodat alternative të motivimit të inovacionit. Ka ndërkohë debate mbi licencimin e detyrueshëm dhe kontrollin e çmimit me të cilin bëhet ky licensim, sidomos në rastin kur qeveritë kanë financuar pjesën më të madhe të inovacionit.

Megjithatë, sipas ligjit aktual (përfshirë ligjin tregtar), pronësia intelektuale nuk është një pengesë e pakapërcyeshme për krijimin, prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave. Pas përfundimit të krizës, mund të ketë kuptim që të rishikohen këto rregulla. Por tani nuk është koha.

Është e vështirë ta menaxhosh një sfidë kaq globale. Por nuk mund të jetë e pamundur, veçanërisht kur është i domosdoshëm veprimi në të gjithë botën. Kjo krizë është gjithashtu një mundësi për Joe Biden. Presidenti i ri amerikan, mund të ndryshojë pikëpamjen e botës mbi vendin e tij, duke nxitur vendet e G20 që të kenë një reagim të përbashkët dhe vendimtar kundër pandemisë.

Anëtarët kryesorë të saj, duhet të sigurojnë burimet e nevojshme për të përshpejtuar prodhimin e furnizimeve globale të vaksinave. Këtij procesi i duhen vetëm disa dhjetëra miliarda dollarë më shumë. Kjo shumë është shumë e vogël krahasuar me prodhimin e humbur ekonomik për shkak të Covid-19, të cilin unë e llogaris në 6 trilionë dollarë në vitin 2020 dhe 4.4 trilionë dollarë të tjera në vitin 2021, në krahasim me parashikimet para-pandemike të FMN-së.

Dhënia fund e kësaj situate të vështirë duhet të jetë prioriteti më madhor. Por kjo mund të ndodhë vetëm nëse vaksinohen të gjithë njerëzit e rritur. Dhe ështëG20 ajo që duhet të sigurojë mjetet për ta realizuar këtë./Përktheu: Alket Goce

Lajmet e fundit